NJOFTIM I RËNDËSISHËM PËR SUBJEKTET NDËRTUESE PËR VENDOSJEN E MATËSAVE INTELIGJENTË (SMART) NË KONTRATAT E REJA TË FURNIZIMIT ME UJË
Shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a., në zbatim të dispozitave të ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë”, të VKM nr. 1304, datë 11.12.2009, si dhe Kontratës së shërbimit Ujësjellës–Kanalizime të miratuar nga ERRU, njofton të gjitha Subjektet Ndërtuese që do të aplikojnë për lidhje të kontratave të reja të furnizimit me ujë (për të gjitha kategoritë e konsumatorëve) për objektet e ndërtuara prej tyre, se:
Në çdo objekt të ri, të ndërtuar nga Subjektet Ndërtuese, për të cilin do të aplikohet për lidhjen e kontratave të reja të furnizimit me ujë, do të vendosen matësa inteligjentë (smart), sipas rregullave të mëposhtme:
I. Subjekti Ndërtues, në objektin e ndërtuar prej tij, siguron dhe vendos ujëmatësa individualë inteligjentë (smart) (mekanik me modul transmetimi, ultrasonik ose elektromagnetik), për çdo njësi banimi apo shërbimi.
II. Standardet teknike të ujëmatësave:
Matësit inteligjentë (smart) duhet të jenë të certifikuar dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.
UKT sh.a. nuk do të pranojë projekte teknike që parashikojnë ujëmatësa me mekanizëm konvencional (jo smart).
Ujëmatësat që nuk përmbushin këto kritere nuk do të certifikohen nga UKT sh.a.
III. Procedura e vendosjes:
Matësit inteligjentë (smart) sigurohen nga vetë subjekti ndërtues, me kusht që të plotësojnë kriteret teknike dhe të jenë të certifikuar.
Vulosja e matësave kryhet nga UKT sh.a. pas depozitimit të kërkesës përkatëse nga subjekti ndërtues.