Takimi i Ekspertëve në kuadër të projektit ndërkombëtar AQUA – Interreg IPA ADRION
Tirana,2025
Në vijim të zbatimit të projektit ndërkombëtar AQUA – Advancing Quality of Urban Water Management in the Adriatic Region, financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Interreg IPA ADRION 2021–2027, u zhvillua Paneli i Ekspertëve, një aktivitet teknik i dedikuar analizës së sfidave dhe zgjidhjeve për menaxhimin inteligjent të burimeve ujore.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të modelit “Digital Twin për Bovillën”, që synon integrimin e të dhënave, teknologjive dhe analizave në një sistem të unifikuar për vendimmarrje më efikase dhe menaxhim të qëndrueshëm të ujit.
Gjatë sesionit të diskutimeve, u evidentuan sfidat kryesore që lidhen me:
• cilësinë dhe sasinë e ujit;
• nevojën për sisteme të integruara monitorimi dhe parashikimi;
• bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërsektorial;
• përdorimin e teknologjive të avancuara dhe sensorëve IoT në kohë reale;
• ndikimet e ndryshimeve klimatike në burimet ujore.
Diskutimet u fokusuan gjithashtu në mundësitë për zhvillimin e modeleve inovative të menaxhimit që do të ndihmojnë institucionet përgjegjëse në planifikimin strategjik dhe operacional të burimeve ujore.
Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, ekspertëve dhe partnerëve rajonalë, si bazë për krijimin e një qasjeje të përbashkët drejt menaxhimit të qëndrueshëm të ujit në rajonin Adriatiko–Jonian.
Projekti AQUA mbetet një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e inovacionit, dixhitalizimit dhe përmirësimit të qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.