Monitorimi i cilësisë së ujit të pijshëm nga UKT

Siguria dhe cilësia e ujit të pijshëm janë prioriteti ynë kryesor. Laboratorët tanë kryejnë analiza të rregullta kimike dhe mikrobiologjike, duke siguruar që uji të përmbushë standardet më të larta të sigurisë dhe cilësisë.

Akreditimi ndërkombëtar

Laboratorët tanë janë të akredituar sipas standardit ISO/IEC 17025:2017, standardi më i lartë ndërkombëtar për kompetencën e laboratorëve testues dhe kalibrues.

Ky akreditim, i dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, garanton saktësinë dhe besueshmërinë e testeve tona. Vendimi i Bordit të Akreditimit nr. LT 118, datë 29.12.2022, konfirmon vlefshmërinë e akreditimit për një periudhë 4-vjeçare.

Procesi i monitorimit

Analizat e ujit kryhen çdo ditë nga dy laboratorët tanë të specializuar (kimik dhe mikrobiologjik), të cilët ndjekin VKM nr. 379, datë 25.05.2016, e harmonizuar me Direktivën e BE-së 98/83/EC dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për cilësinë e ujit të pijshëm.

Mostrat e ujit merren nga pika të ndryshme të rrjetit shpërndarës, deri tek rubineti i përdoruesve.

Parametrat e monitorimit

Ne kryejmë testime mbi më shumë se 15 parametra kyç, duke përfshirë:

• karakteristikat organoleptike: aromë, shije, ngjyrë;

• parametra fizikë dhe kimikë: temperaturë, turbullirë, pH, fortësi e përgjithshme, konduktivitet, amoniak, nitrite, klor i lirë mbetës;

• parametra mikrobiologjikë: Escherichia coli (E. coli), koliforme totale, enterokokë, Streptococcus faecalis.

Monitorimi kryhet në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor të Tiranës, i cili, sipas nevojës, mund të përfshijë edhe parametra shtesë.

Përkushtimi ynë për cilësinë

UKT mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe shërbimeve që ofron. Përmes teknologjive moderne, laboratorëve të akredituar dhe stafit të kualifikuar, sigurojmë që çdo pikë ujë që mbërrin te qytetarët tanë të jetë e sigurt dhe e shëndetshme.

Kontrolli i ujit

Analiza ditore: kryhen teste për 16 kampione uji, duke matur 7 parametra fiziko-kimikë (si ngjyra, shija, turbullira, klori i lirë) dhe 3 parametra mikrobiologjikë (koliforme totale, Escherichia coli, streptokoku fekal).

Monitorimi nga Drejtoria e Higjienës: çdo ditë analizohen 31 kampione uji në pika të ndryshme të qytetit.

Kontrolli i klorit: UKT kryen matje të klorit në 52 pika të ndryshme të rrjetit shpërndarës.